Shqipëria turistike në Panairin Ndërkombëtar të Londrës 

Në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, evenimentin më të spikatur botëror për këtë industri, i cili po zhvillohet në Londër, Shqipëria turistike ka stendën e saj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ndodhet në Londër në World Travel Market, ku po ndjek nga afër një nga panairet më të rëndësishëm, në të cilin përfshihen të gjitha tregjet e botës në industrinë e turizmit.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi në ditën e parë të Panairit në stendën e Shqipërisë u takua me ministrin kroat të turizmit, Gari Cappelli dhe ministren spanjolle, Reyes Maroto.

“Në ditën e parë të Panairit Ndërkombëtar të Londrës (World Travel Market) në stendën e Shqipërisë, në takime me ministrin kroat të turizmit, Gari Cappelli dhe ministren spanjolle, Reyes Maroto. Bashkëpunim në fushën e turizmit, për të marrë eksperiencën më të mirë të dy vendeve në agroturizëm dhe zhvillimin e turizmit blu në Shqipëri”, -bëri të ditur Klosi.

Po ashtu, Klosi vuri në dukje se ka pasur interesim të madh pranë stendës së Shqipërisë në ditën e parë të Panairit të Londrës (World Travel Market) kur pala shqiptare ka prezantuar edhe strategjinë për turizmin e qëndrueshëm, me pjesmarrës tur operatorë të huaj dhe vendas, si dhe organizatat përgjegjëse për zhvillimin e turizmit.

Ky panair, që organizohet çdo vit në kryeqytetin britanik, është eventi më i rëndësishëm në industrinë e udhëtimeve. Ai konsiderohet si një nga ngjarjet e pritura dhe me më shumë interes për takimet “business-to-business” që prezantojnë në Britaninë e Madhe një gamë të gjerë të destinacioneve dhe sektorëve të industrisë, si dhe për profesionistët ndërkombëtarë të udhëtimeve.

Vendi ynë përherë e më shumë po promovohet dhe jashtë kufijve me anë të takimeve dhe panaireve të shumta që po zhvillojnë institucionet përkatëse ku fokus është prezantimi i aseteve të veçanta që vendi ynë ofron në turizëm. Ndërkaq, World Travel Market është një mundësi unike për gjithë biznesin global të udhëtimeve, për takime dhe bashkëpunime mes vendeve të ndryshme./atsh/