Shqiptarët përçahen për ‘xhami’ në Tetovë

Banorët e fshatit Kopanicë, që është vetëm 10 kilometra larg Tetovës, kanë filluar të përçahen për shkak të dy xhamive të ndërtuara në këtë fshat.

Ky vend i cili nuk ka ambulancë, fusha sporti madje as qendër rekreative, ka dy xhami lokacioni i ndërtimit të të cilave ka bërë që banorët të kenë përçarje mes vete.

Siç bëhet e ditur, plani i ndërtimit të xhamisë së re do të realizohej në vendin ku ka qenë xhamia e vjetër, mirëpo një grup i vogël i njerëzve kanë insistuar që kjo xhami të ndërtohet në pjesën tjetër të fshatit, në lagjen e tyre ku do të ishte më afër shtëpisë së tyre.

E për një gjë të tillë ishte kundër edhe këshilli i fshatit, të cilët ishin të autorizuar për të ndërtuar këtë xhami në të njëjtin lokacion ku ishte xhamia e vjetër.

Gazeta Express me seli në Shkup, ka arritur të sigurojë disa dokumente të arkivuara në Komunën e Jegunovcës, komunë kjo në të cilën hyn ky fshat, ku shihet se si Myftinia e Tetovës ka autorizuar këshillin organizativ për ndërtimin e kësaj xhamie në vendin e njëjtë ku kishte qenë xhamia e vjetër. /gazetametro.net