Shqiptari 29 vjeçar vdes pasi u godit nga treni

Në natën në mes të të shtunës dhe të dielës, rreth orës 23.45 ka ndodhur një aksident i rëndë pune në linjën hekurudhore Basel-Delemont. Një punëtor 29 vjeçar ka pësuar lëndime vdekjeprurëse në këtë aksident, njofton telebasel.ch.

Albinfo.ch merr vesh ndërkohë se viktima është një shqiptar nga Kosova, gjegjësisht nga Komuna e Gjakovës, me emrin Martin Dodaj.

Aksidenti ka ndodhur në një kantier ndërtimi në afërsi të stacionit hekurudhor në Zwingen, Kantoni Baselland, ka bërë të ditur Policia Kantonale e Basellandit të hënën.

Punëtori i ndërtimtarisë që vinte nga një firmë e tretë (jashtë hekurudhave) është goditur nga treni IC që po lëvizte nga Delemonti në drejtim të Bazelit.

Ende nuk bëhen të ditura rrethanat e ndodhjes së aksidentit. Rrjedha e tij po hetohet nga polici dhe nga prokuroria.

Ndërkaq punimet ndërtimore në hekurudhë janë ndërprerë menjëherë pas aksidentit, ka thënë për mediat një zëdhënës i SBB-së.