Shqiptari nga Mali i Zi humbi çantën me 40 mijë dollarë, punonjësit e aeroportit të Rinasit ia kthejnë sërish

Disa pasagjerë që udhëtonin drejt Malit të Zi kishin harruar një çantë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, brenda së cilës ndodhej shuma prej 40 mijë dollarësh amerikanë.

Me të mbërritur në Tuz dhe pasi vunë re se çanta nuk ishte te bagazhet e tyre, ata kanë kontaktuar personelin e aeroportit, të cilët kanë njoftuar se çanta ishte gjetur dhe mund të merrej në çdo moment.

Shtetasi shqiptar nga Tuzi ka shprehur mirënjohjen e tij për gjestin e personelit të aeroportit duke thënë se “ky është një gjest njerëzor dhe dëshmi se shqiptarët janë të besës dhe burrërisë”.

Mësohet se çanta që mbante paratë është tërhequr nga personi, të cilit i përkiste.