Shqiptari vret me thikë biznesmenin italian

Tommaso Dini 50-vjeç, agjent imobilar dhe biznesmen mjaft i njohur në Firenze është vrarë me thikë gjatë natës së kaluar.

La Nazione shkruan se autor i ngjarjes së rëndë mësohet të jetë një shqiptar, 48 vjeç, i cili është vënë në prangat e policisë.

Dini dhe shqiptari, identiteti i të cilit nuk është bërë ende me dije janë përleshur fizikisht fillimisht në Piazza Piave. Më pas sherri mes tyre ka agravuar dhe shqiptari ka nxjerrë thikë e ka qëlluar biznesmenin italian.

Ata që kanë qenë dëshmitarë të skenës së dhunshme kanë thirrur menjëherë ndihmë dhe 50-vjeçari u dërgua në spital. Por, plaga që kishte në gjoks, bëri që të ndërronte jetë në sallën e operacionit.

Shqiptari u përpoq të largohej, por karabineirët e arrestuan vetëm pak minuta pas krimit të rëndë. Thika me të cilën vrau biznesmenin nuk është gjetur ende.

Hetimet po kryhen nga Karabinierët e Kompanisë Scandicci me Njësinë Hetimore të Firences.

Goditja me thikë ndodhi jo shumë larg agjencisë imobilare të 50-vjeçarit. Karabinierët, të koordinuar nga prokurorja Carmine Pirozzoli kanë marrë në pyetje disa dëshmitarë në kazermën Scandiçi.

Janë duke u ekzaminuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Piazza Piave. Në të kaluarën duket se ka pasur mosmarrëveshje në vendin e punës mes agresorit dhe viktimës e kjo dyshohet të ketë qenë dhe nisja e sherrit mes tyre, por arsyeja nuk është zbardhur ende.

I arrestuari është një murator gjithashtu banues në Scandicci si viktima. Ai është ortak në një kompani ndërtimi së bashku me vëllain e tij. Shqiptari jeton prej shumë vitesh në Itali dhe ka precedentë penalë. Tommaso Dini la pas gruan dhe dy vajzat./dita