Shtesat për fëmijët mund të mos shpërndahen as më 2020

Ani pse u premtua se që nga fillimi i këtij viti fëmijët do t’i marrin shtesat, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Prindërit thonë se vonesat e tilla nuk mund të arsyetohen, derisa shtesat i kanë quajtur ofendim, raporton KTV.

Vonesa për këtë çështje, po kritikohet edhe nga njohësit e çështjeve sociale, të cilët thonë se shuma e propozuar për t’u ndarë për secilin fëmijë është tejet e vogël, gjë që tregon edhe përkushtimin e ulët të shtetit ndaj kësaj kategorie.

Sipas Vebi Mujkut, njohës i çështjeve sociale, shtesat e fëmijëve mund të mos shpërndahen as në vitin 2020.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se, si Ministri, janë duke u marrë seriozisht me këtë çështje, por sipas tij, për një kornizë ligjore të mirëfilltë duhet kohë.

E, lidhur me këto vonesa, iniciuesja e Rezolutës së shtesave, deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se në rast të vonesave për hartim të legjislacionit adekuat për shtesat, një punë të tillë do të mund ta kryejë edhe Kuvendi i Kosovës.

Iniciativa për ndarjen e shtesave për fëmijë, e kthyer në rezolutë nga Kuvendi i Kosovës, parasheh që çdo familje që ka fëmijë nga 0 deri 16 vjeç, të përfitojë 10 euro në muaj për fëmijën e parë, 5 euro për të dytin dhe 2,5 euro për të tretin.