Ka arritur në 49 numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar edhe tri viktima nga koronavirusi me çka numri i të vdekurve ka arritur në 49.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se viktimat janë nga Kumanova, një 85-vjeçar, Krusheva një 77-vjeçar dhe Llabinusha e Strugës një 64-vjeçar.

Ky i fundit ka ndërruar jetë para tri ditëve por të premten është konstatuar se ka qenë i infektuar me sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Sipas raportit të Ministrisë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 36 raste të të infektuarve me koronavirues duke e çuar numrin në 1,117.

Në Shkup janë regjistruar 22 raste ndërsa në Kumanovë katër, që është edhe numri më i vogël që nga përhapja e virusit në këtë qytet.

Gjatë orëve të fundit 18 persona janë shëruar ndërsa numri i përgjithshëm i tyre është 139.