Sindikata e Policisë me thirrje urgjente për policët e bllokuar: Duhet të intervenohet urgjentisht

Përmes një komunikate, Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se durimi ka fundin e vet dhe se tashmë, bëhet fjalë për një krizë humanitare. Sindikata e Policisë së Kosovës i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të ndërmarrin veprime për të krijuar kushtet që në veri të zhbllokohen rrugët.

Të njëjtit kanë kërkuar që të verpohet me urgjencë për zyrtarët policorë të mbetur në Leposaviq dhe Jarinje.

Përmes një komunikate, Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se durimi ka fundin e vet dhe se tashmë, bëhet fjalë për një krizë humanitare.

“Zyrtarët policor në këto dy lokacione të bllokuara po qëndrojnë me moral shumë të lartë, por shëndeti dhe jeta e tyre është e rrezikuar seriozisht për shkak të kushteve të vështira të krijuara nga rrethanat dhe ambienti në të cilin qëndrojnë. Duhet të kuptojmë se edhe durimi e ka fundin e vet edhe për ata që janë atje edhe për ne. Në këtë rast është tejkaluar gjithçka nga normalja sepse kemi të bëjmë me rrezikun e jetës nga sëmundje të ndryshme të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve që banojnë në atë pjesë, tani më kemi të bëjmë me krizë humanitare, prandaj duhet të intervenohet urgjentisht!”, thuhet në komunikatë.

Krahas kësaj, Sindikata ka kërkuar që të bashkërendojnë veprimet dhe në mënyrë të menjëhershme, të krijohen kushtet për lëvizje të lirë dhe zyrtarëve policor t’ju bëhet ndrrimi.