Sindikata e Shëndetësisë nuk i bashkohet grevës së BSPK-së

Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka marrë vendim që të mos i bashkohet grevës së BSPK-së.

Kjo, është bërë e ditur përmes një komunikate për media.

Sipas FSSHK, kërkesat nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësorë sepse punëtorët shëndetësorë e gëzojnë shtesën prej 60 eurosh.

“Kryesia e FSSHK-së në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë 25.08.2022 pas shqyrtimit të situatës si dhe paralajmërimit të SBASHK-ut dhe Administratës për fillim të Grevës së Përgjithshme, del me qëndrim kundër Grevës respektivisht nuk i bashkëngjitet Grevës për shkak se kërkesat nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësor sepse punëtorët shëndetësor e gëzojnë shtesën prej 60 euro dhe nuk është arsye e mjaftueshme FSSHK të merr veprime sindikale siç janë Grevat për 40 euro gjithashtu se Ligji i Pagave është proceduar për miratim në Qeveri dhe priten konsultime rreth tij. Kryesia vendos që ti hap rrugë dialogut për vërejtjet dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësor ti realizojë nëpërmjet dialogut me komisionet përkatëse si dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Prandaj duke pasur parasysh edhe situatën politike duke mos përjashtuar mundësinë e veprimeve sindikale, konsideron se për momentin nuk ka asnjë arsye madhore të hyjmë në Grevë”, thuhet më tutje aty.