Sindikata: IPK-ja po bën spektakël, arrestimet e policëve po i bën si të ishin kriminelë të pakapshëm

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, është shprehur i shqetësuar me arrestimet e fundit të zyrtarëve policorë në pikat kufitare nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës e korrupsion.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se arrestimi është veprimi i fundit që duhet të ndërmarrin institucionet përgjegjëse, pasi të kenë siguruar prova të mjaftueshme, për të cilat dyshon se i ka Inspektorati Policor i Kosovës.

“Shqetësimi i Sindikatës së Policisë së Kosovës rreth këtyre arrestimeve është se ka apo nuk ka prova të mjaftueshme për dyshim të bazuar, Inspektorati Policor i Kosovës me rastin e arrestimit të të gjithë këtyre zyrtarëve policorë, është masa e fundit dhe masa më e rëndë jo vetëm për një zyrtar policor, por edhe për një qytetar të thjeshtë. Arrestimi është pjesa ku duhet të ketë prova të mjaftueshme dhe bazike me dyshim të bazuar se vërtetë ai e ka kryer një vepër penale për të cilën pretendohet ose në këtë rast pretendojnë IPK-ja”, ka thënë Zeqiri.

Madje ai shtoi se në dy rastet e fundit shumica e të arrestuarve janë liruar në procedurë të rregullt, duke e cilësuar arrestimin e kolegëve të tij sikurse të ndonjë krimineli të pakapshëm.

Prandaj ai ka kërkuar nga Inspektorati të mos bëjë arrestime të zyrtarëve policorë para medieve, duke shtuar se kjo po krijon imazh të keq të qytetarëve për policinë.

“Kemi dy rastet e fundit që është bërë arrestimi në kufi i zyrtarëve policorë, në rastin e parë 48 zyrtarë, 20 prej tyre janë liruar në procedura të rregullta dhe janë kthyer në shtëpi. Në rastin e dytë janë arrestuar 26 zyrtarë policorë dhe 14 prej tyre janë liruar dhe janë në shtëpi. Mënyra e arrestimit që është parë para medieve ka qenë sikurse të arrestohej ndonjë kriminel i pakapshëm. Ata nuk kanë qenë të rrezikshëm dhe nuk ka qenë mundësia e tyre për ikje për të bërë një arrestim të tillë në mënyrë spektakulare”, u shpreh ai.

“Unë e kam bindjen time se po bëhet spektakël me vetë faktin që zyrtarët policorë arrestohen para kamerave dhe ai bëhet lajm”, shtoi ai.

Zeqiri ka treguar edhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohet Policia e Kosovës, teksa theksoi se paga bazë e një polici është 392 euro. Sipas tij, shqetësuese është mungesa e sigurimeve shëndetësore, e ligji për pensionim, duke sqaruar se për këtë pas pensionimit policët paguhen vetëm 100 euro në muaj.