“Sindikatat e PAN-it”, Çitaku i reagon Kurtit: E ka telashe me e pranu që jo të gjithë ia kanë frikën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka kursyer edhe sot kritikat ndaj sindikatave që po vazhdojnë grevën.

Në një prononcim para mediave, Kurti i ka cilësuar sindikatat si të “PAN-it”, duke shkaktuar kështu reagime të shumta.

Kurtit i ka reaguar edhe deputetja dhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Në një postim në Facebook, Çitaku e ka cilësuar veprimin e kryeministrit si të “dobët”.

“Dobët kryeministër, dobët. Në vend se të ulet e të bëjë zgjidhje, Kurti paska vendosur edhe sot të thumbojë mësueset dhe arsimtarët tanë. Njëhere, njerëzit e VV e quajtën kryesindikalistin njeri të Serbisë, e sot, Kryeministri i paska quajtur sindikatat ‘sindikata të PAN-it’”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka thënë se duket që Kurti e ka problem ta kuptojë që në Kosovë ka organizata, sindikata, media, shoqata të pavarura, të cilat nuk nënshtrohen.

“Si duket e ka problem të kuptojë që ka njerëz që vendimet i marrin vet. Si duket e ka telashe me e pranu që jo të gjithë ia kanë frikën. Kryeministër, ju jeni Kryeministër i Kosovës, jo i VV-së. Fatkeqësisht nuk po silleni si i tillë”, ka shkruar ajo.

Në fund, Çitaku ka thënë se tashmë jemi më 25 shtator dhe fëmijët po vazhdojnë të jenë në shtëpi, duke kërkuar kështu nga Kurti hapjen e shkollave duke gjetur zgjidhje me grevistët.

Postimi i plotë:

Dobët Kryeministër, dobët.

Në vend se të ulet e të bëjë zgjidhje, Kurti paska vendosur edhe sot të thumbojë mësueset dhe arsimtarët tanë.

Njëhere, njerëzit e VV e quajtën kryesindikalistin njeri të Serbisë, e sot, Kryeministri i paska quajtur sindikatat “ sindikata të PAN-it.”

Si duket Kurti e ka problem ta kuptojë që në Kosovë ka organizata, sindikata, media, shoqata të pavarura, të cilat nuk nënshtrohen. Si duket e ka problem të kuptojë që ka njerëz që vendimet i marrin vet. Si duket e ka telashe me e pranu që jo të gjithë ia kanë frikën.

Kryeministër, ju jeni Kryeministër i Kosovës, jo i VV-së. Fatkeqësisht nuk po silleni si i tillë.

Jemi me 25 shtator, e fëmijët tanë janë në shtëpi. Hapi dyert e shkollave Kryeministër. Çelësat i ke në dorë ti. /Fokusi.info/