Sindikatat: Nëse s’merren parasysh komentet tona, Ligji i Pagave mund të dërgohet në Kushtetuese

Sindikatat në Kosovë janë në pritje të përgjigjes nga Qeveria lidhur me komentet e dërguara për projektligjin për paga.

Të gjitha sindikatat e kanë kundërshtuar këtë të fundit, ku edhe nuk janë pajtuar me mënyrën aktuale të këtij projektligji, shkruan Front Online.

Ata po thonë se nëse ky projektligj nuk bëhet ashtu siç po kërkojnë mundësitë janë të mëdha që të dërgohet në Kushtetuese.

Nga ky projektligj nuk po presin asgjë, Sindikata e Policisë.

Kreu i kësaj sindikate, Imer Zeqiri deklaroi për Front Online se njëra ndër kërkesat e tyre ka qenë që kjo sindikatë të mos rangohet njëjtë me shërbyesit civil.

“Ne kemi dërguar shumë komente për këtë projektligj, kemi kërkuar që mos me u rangu si shërbyes civil por me shkua me institucionet që janë të përjashtuar nga ligji siç janë gjykatat, prokuroria, FSK, AKI por nuk besoj që na pranojnë. Kështu siç është ky projektligj nuk presim asgjë për mendimin tonë nuk kalon. Në takim ne kemi thënë që nëse nuk merren parasysh komentet tona ka mundësi të shkojë në Kushtetuese kjo”, potencoi Zeqiri.

SBAShK-u: Qeveria të konsultohet për Ligjin e Pagave edhe me sindikatat për vendimet që do merren

Me Ligjin aktual të Pagave nuk janë të pajtimit as Sindikata e Arsimit.

Ahmet Pllana, anëtar i kryesisë së SBASHK-ut ka thënë se Qeveria nuk duhet të marrë vendime për këtë projektligj, pa i pyetur edhe sindikatat.

Pllana për Front Online ka numëruar disa nga ankesat që i ka dërguar kjo sindikatë për këtë projektligj.

“Edhe sektorët tjerë kanë dërguar vërejtje për këtë projektligj edhe ne i kemi dërguar ankesat tona dhe ta shohim se çfarë po ndodhë. Ankesat i kemi dërguar për edukatorët sidomos ata që punojnë në parashkollor për sekretarët, zyrtarët në lidhje me koeficientin. Duhet të shkohet me grupet punuese të sindikatave të marrin pjesë edhe t’i shikojnë ato kërkesat e tyre dhe jo pa e pyetur askënd ta bëjnë projektligjin, se kjo nuk ka ndodhur kurrë”, theksoi Pllana.

Kreu i Odës së Mjekëve: Ligji i Pagave mund të ketë ndryshime jo të mira nga Qeveria

Pakënaqësi për Ligjin e Pagave kanë edhe mjekët.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu tha se në projektligjin aktual kanë gjetur pika që janë në kundërshtim me ligjin e punës.

Sejdiu ka thënë për Front Online se ky projektligj mund të ketë ndryshime jo të mira nga Qeveria, e pastaj i njëjti do të dëmtohet.

“Ne i kemi gjetur shumë gjëra që janë në kundërshtim me ligjin e punës nëse ato përmirësohen atëherë do të jetë një ligj i mirë. Shumë shpesh ka ndodhë që ligjet që vijnë të mira në Kuvend prej vet qeverive edhe në të kaluarën kanë pësuar ndryshime të cilat edhe e kanë dëmtuar ligjin”, u shpreh Sejdiu.

Lidhur me projektligjin e pagave sot ka folur edhe shefi i grupit parlamnetar të AAK-së Besnik Tahiri.

Ai në një konferencë për media tha se ky ligj po shtyhet me qëllim nga Qeveria.

“Ligji i pagave i cili po shtyhet me të vetmin qëllim për mos me hy në zbatim në janar të vitit të ardhshëm. Shihet qartë që qeveria ka dështuar dhe ligji i pagave jo në janar të vitit 2023, por siç shihet me këtë dinamikë s’do të hyjë në zbatim as në janar të vitit 2024”, deklaroi Tahiri.

Ndryshe, Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars.

Ligji ishte miratuar në vitin 2019 nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.

Por, në vitin 2020 ky ligj ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Kushtetueses ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene.