Situata në Ukrainë, Kurti njofton se çka është biseduar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë

Pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se është mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë me disa prej ministrave dhe drejtues të institucioneve të sigurisë, për të analizuar situatën aktuale.

“Theksoj që sot është një ditë tronditëse dhe tragjike për Evropën dhe jo vetëm pasi sot i gjithë kontinenti i ynë dhe më gjerë janë zgjuar me lajmin e trishtë të invazionit rus në Ukrainë që paraqet agresionin më të madh ushtarak që pas përfundimit të luftës së dytë botërore. Qeveria është e bashkërenduar dhe po bashkëpunon me BE-në, NATO-n, ShBA-të dhe Anglinë në mënyrë që të jemi bashkë për paqe, siguri, për mbrojtje të demokracisë dhe lirisë”,ka theksuar Kurti.

Tutje, Kurti tha se në këtë mbledhje është diskutuar dhe analizuar mirë situata aktuale dhe po ashtu është diskutuar për masat që duhet marrë në kësi gjendje.

“Duke qenë të brengosur me ndikimin që do të ketë kjo luftë e re me pasoja tragjike edhe në rajonin tonë kemi zhvilluar një mbledhje të Këshillit të Sigurisë me disa prej ministrave dhe drejtues të institucioneve të sigurisë ku kemi vlerësuar, analizuar dhe diskutuar për situatën aktuale dhe për masat që duhet t’i marrim në mënyrë që orientimi ynë evropian të jetë në nivelin e cilësisë në intensitetit më të lartë të mundshëm”,tha Kurti.