S’ka takim të caktuar me Kurtin, por Thaçi thotë se është i gatshëm

Presidenti Hashim Thaçi është i gatshëm që ta takojë sot Kryeministrin Albin Kurti, thonë nga Presidenca, por s’ka asnjë takim të caktuar për sot.

“Presidenti ka gatishmëri për ta takuar edhe sot, por nuk ka ende takim të konfirmuar”, ka thënë Zyra e Presidentit.

Kurti ka refuzuar të takohet me Presidentin Thaci, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Thaçi më parë nuk i ishte përgjigjur dy ftesave të Kurtit “për koordinim për politikë të jashtme”, e më pas kur erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se do t’i informonte të gjithë liderët e partive politike.

Të gjithë i shkuan në takim, ndërsa Kurti tha se nuk ka interesim ta takojë si kryetar i LVV’së, e si kryeministër e ka obligim, prandaj do ta takonte ditëve në vijim.

Zyra për Media e Lëvizjes Vetëvendosje ka treguar të mërkurën për Gazetën Express se Kurti mund të takohet me Thaçin të premten.

“Nga Zyra e Kryeministrit pamë që kanë theksuar kohen se kur mund te takohet Kryeministri me Presidentin. Në përgjigje ishte theksuar dita e premte”, thuhej në përgjigjen e LVV’së.