Skandaloze: Drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës i kërkon kandidates që intervistën për punësim ta zhvillojnë në hotel

Personat me pak autoritet janë shpeshherë pjesë e manipulimeve me viktima që synojnë një vend pune. Jo rrallë herë kemi qenë dëshmitarë për raste të ndryshme sesi në Kosovë shfrytëzohet maksimalisht ‘pozita’ në institucion, kompani apo qoftë edhe në butik kur ‘boss-i’ tregon muskujt.

Një rast skandaloz ka ndodhur në Oden e Avokatëve të Kosovës. Drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës, F.Sh, ka kërkuar favore nga një vajzë në lidhje më një pozitë në këtë institucion duke i kërkuar të shkojnë në hotel për të zhvilluar një intervistë.

A.Q (emër i njohur për redaksinë e Lajmi.net), është kontaktuar nga F.Sh në lidhje me një konkurs të shpallur nga OAK për “Zyrtar për Informim”, i cili konkurs atë kohën kur ajo ishte njoftuar veç ishte mbyllur, por drejtori i Odës i ka ndihmuar pasi ishte ai përgjegjës për pranimin e emaileve.

Drejtori i Odës ka shkuar deri në atë pikë ku e ka ftuar A.Q në zyrën e tij dhe ia ka treguar pyetje e testit, nga ku edhe A.Q e kalon testin me shkrim pa problem.

Asaj kohe A.Q ishte ngacmuar me fjalë kur kishte shkuar në zyrën e drejtorit.

Kontakti mes F.Sh ka vazhduar edhe pas testit me shkrim. Kur kishte ardhur koha për intervistën me gojë drejtori fton sërish A.Q, gjoja për ta përgatitur për pyetjet e intervistës dhe nga këtu ndryshon rrjedha e bisedës. Drejtori i Odës i kërkon vajzës që pyetjet t’i bisedojnë në një hotel, vajza nuk pranon dhe vendos të mos shkojë në intervistë.

Duke parë, siç sqaron vajza në emialin që posedon lajmi.net, që F.Sh po ‘manipulonte’ me emrin e saj tek stafi në OAK vendosë të reagoi.

Fillimisht ajo i shkruan Osman Havollit, kryetar i OAK-së, me emër anonim. Duke parë se askush nuk po reagonte ajo vendosë të paraqitet publikisht me emër dhe mbiemër.

A.Q i shkruan email Kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havollit, lidhur me gjithë rrjedhën e ngjarjes dhe ka kërkuar takim me të. Kryetari nuk i kishte kthyer përgjigje dhe takimi nuk ishte bërë kurrë. Vajza duke parë që nuk kishte asnjë reagim nga kryetari i OAK vendos t’i shkruaj edhe Këshillit Drejtues të Odës të Avokatëve.

Në emailin e parë, A.Q shpreh shqetësimin e saj sesi F.Sh, po lakonte emra të ndryshëm duke shpifur dhe trilluar se nuk ishte A.Q që e ka paraqitur informatën lidhur me të, por prapa saj qëndronte dikush tjetër duke përmendur emrat e miqve të tij.

A.Q në këtë email kërkon takim me kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli për t’i shpjeguar rastin.

Vajza që kishte shprehur shqetësimin e saj lidhur me një ngacmim për një vend pune, nuk merr përgjigje nga i pari i Odës, andaj ajo vendos t’i drejtohet edhe 10 personave të tjerë të Këshillit Drejtues të OAK-së.

Në emaili i dytë – A.Q sqaron gjithë rrjedhën e ngjarjes disa ditore dhe bisedat që ajo ka pasur më F.Sh, drejtorin ekzekutiv të OAK-së.

Vajza thotë, se F.Sh ishte paraqitur vullnetarisht për ta ndihmuar në lidhje me pozitën që kishte shpallur konkurs OAK, pasi i kishte thënë se i plotësonte gjitha kriteret që kërkoheshin nga ky institucion.

Ajo e ka parë të arsyeshme të paraqitet me emër e mbiemër atëherë kur F.Sh, kishte filluar të gënjente, gjithmonë sipas A.Q, kolegët e Odës lidhur me informatën që kishin dëgjuar, duke aluduar se ishte dikush tjetër pas saj.

Sipas A.Q, F.Sh kishte përfshirë tre emra të miqve të tij (emra dhe mbiemrat e tyre janë përmendur në email).

F.Sh kishte përgojuar edhe jetën private të vajzës, duke aluduar se ka biseda me të në telefon dhe nuk ka guxim me u paraqit publikisht pasi është në lidhje serioze.

Megjithëkëtë vajza i largon gjithë emrat e tjerë nga lista e që mund të jenë përfshirë në rast, por jo edhe emrin e drejtorit ekzekutiv të Odës, të cilën e lë fajtor për marifetet e vetkrijuara.

Ajo ua sqaron kryetarit dhe këshillit drejtues të OAK-së se me email anonim u ishte drejtuar pas parasysh rrethanat shoqërore dhe mentalitetin ndaj femrës në Kosovë, duke mos dashur ta njollosë emrin e saj.

Por, pas parasysh sjelljet e pahijshme të F.Sh, i cili ka tentuar që në këmbim të vendit të punës të kërkoi favore ndaj A.Q, ajo ka vendosur të dal publikisht.

A.Q pretendon se ka biseda dhe fakte të tjera që kanë shkuar përtej zyrtares me drejtorin ekzekutiv të OAK-së.

Emaili tregon se A.Q lidhur me pozitën zyrtare ishte informuar nga F.Sh përmes telefonit, një ditë pasi ishte mbyllur afati i konkursit, por i kishte premtuar se do t’ia mundësonte me apliku pasi ishte ai që kontrollon emalin dhe “vendosi për pranimin e aplikacioneve”. Drejtori ekzekutiv i OAK-së më pas e ka ndihmuar lidhur me përgatitjen e dokumenteve dhe aplikimit përmes emailit duke kërkuar nga vajza të mos i tregoj askujt.

(Sqarim: Pjesët e emalit nuk janë përmirësuar në drejtshkrim, në këto citate që lajmi.net ka vendosur t’i publikoi janë fshirë vetëm emrat e të përfshirëve)

“Dy ditë para se me u mbajt testi me shkrim F më ka ftu me shku në Prishtinë sipas tij me mpregadit me informacione dhe materiale rreth testit. Unë e kam refuzu kërkesën e tij që me u taku jashtë zyrës dhe nevoja për punëmëka shty që me pranu me u taku me tën’zyre. Qysh e dini nga informata e kalume gjatëkëtij takimi jom ballafaqu me sjellje e kërkesa të padëshiruara në këmbim të informatave dhe materialeve për test dhe normalisht që i kam refuzu dhe nuk i kam pranu këto favore. Dorën në zemër nuk më ka prekur me dorë por gjestet e tij kanë qenë fminore duke tentuar të më josh me pozitë, duke më ftuar për kafe diku në vend të caktuar, etj etj të cilat i kam refuzuar dhe jam larguar nga aty. Atë natë në mbrëmje përmes viberit F mi ka dërgu pyetjet për test dhe më ka thënë që përgjigjet duhet me u bo në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze. Pyetjet që mi ka dërgu janë këto:

Roli i Odës së avokatëvë në sistemin e drejtësisë

Detyrat dhe përgjegjësitë e pozitës zyrtare për komunikim

Përgaditja e një ftese nga oda për një institucion tjetër

Përgaditja e një skenari për kryetarin e odës në një intervistë

Në test pyetjet jon kon krejt të njejta me këto që mi ka dërgu F,” kjo ishte një pjesë e emailit sqarues që A.Q ka drejtuar ndaj kryetarit dhe këshillit drejtues të OAK-së.

Por çfarë ndodhi më pas? Pas testi me shkrim i vije radha intervistës me gojë. F.Sh thërret në telefon A.Q dhe i thotë se është koha për ta përgatitur për testin me gojë.

“Konkurrenca” e madhe lidhur me pozitën e zyrtarit për informim bënë që F.Sh të tregohet “zemërgjerë” dhe të ftoi vajzën për ta përgatitur lidhur me pyetjet që do i bëhen me gojë.

“Disa ditë masi që kemi hy në tëst përmes telefonit jam ftu me shku në intervistë me gojë. Ma vonë me ka thirrë edhe F. Një ditë para se me u majt intervista F më ka ftu që mas orës 4 me shku në Prishtinë me u përgadit për pyetjet për intervistë me gojë. Më ka thënë në test je kon mirë po duhesh me përgadit për intervistë se konkurenca është e madhe se në test janë kon shumë tmira dy qika njona prej tyne qika e një avokati mdoket me mbiemër D…. kërkoj falje nëse gaboj”, thuhet në emailin e A.Q.

A.Q ka takua F.Sh mbas orës 17:00 në zyrën e tij, nga ku drejtori ekzekutiv i OAK-së e shërben me verë të kuqe nga edhe kishte insistuar të pinin nga një gotë.

F.Sh në zyre ka vazhduar me ngacmime, gjithmonë sipas A.Q, për një momenti drejtori ekzekutiv i OAK i ka kërkuar të shkojnë në hotel për të qenë më rehat dhe për shtjelluar pyetjet e intervistës.

“Jemi takuar dikun mas orës 5 në zyrën e tij. Më ka shërby verë të kuqe dhe ka insistu që ta pi një gotë. Masnej ka vazhdu me fjalë ngacmimesh dhe me një moment mu ka drejtu hajde po shkojmë në hotel ma rahat edhe ti kallxoj pytjet edhe qysh mu përgjigj në intervistë. Jam qu nga takimi edhe i kom thon që sjellja e tij është e papranueshme për mua përkundër se unë kam nevojë për punë dhe kjo nevojë më ka shti me ardhe me u taku edhe ja kom bo me dije se nuk do të marr pjesë në intervistë me gojë. Unë F i kam than që ti e din që jam në lidhje serioze dhe pse unë flas me ty flas në bazë të mikut ton të përbashkët N edhe tu ta njoftë mikun G edhe nuk du me më keqpërdor. F ka reagu duke më thënë kadal balic mos e merr seriozisht se hajgare po boj ti e din dhe kur e pa që situata eskaloj për të keq ai mbeti pa fjalë duke tentuar që unë të qetësohem por menjëher u largova e tmerruar jo për faktin pse më ftoj për “një kafe” sepse unë shquhem se kam bukuri dhe qdo ditë më ndodh që njerëzit të më ftojnë për kafepor jo duke ma keqpërdor besimin e gjendjen në këmbim të favoreve të ktilla që për mua janë të ulëta”, sqaron A.Q.

Vajza pas gjithë kësaj e ka parë të arsyeshme të mos shkojnë në intervistë ani pse ka pasur vazhdimisht thirrje nga F.Sh.

“Të nesërmen nuk kam shku hiq në intervistë edhe pse F më ka thirrë në telefondisa herë dhe ka provu me mbind që me shku me marrë pjesë po nuk kam shku. Puna kish qenë e kryer për dikë tjetër për atë qikën me mbiemër D dhe këtë ma ka konfirmu vet F duke më thënë se mirë bone që nuk erdhe hiq, por unë të siguroj se ta mundësoj një pozitë tjetër në Odë”, thuhet më pas në emailin e A.Q, siguruar nga lajmi.net.

Takimet mes tyre nuk kishin përfunduar pasi drejtori i OAK-së i ka ofruar një vend si praktikante me pagesë.

“Herën e fundit kur të kam takuar në zyrën tënde e sërish ka provuar avazin e njejtë por kësaj radhe duke më josh me një pozitë të një praktikanteje me pagesë në odë edhe më ke thënë dil pritëm në një lokal “Soma” se veq po i kryj do takime shpejt se nesër kom me udhtu edhe po vi aty e dalim dikun rrim, të kom kallxu shumë seriozisht që nuk i duroj më fyrjet e tua “akllosharic” e ngacmimet e tua, të kom kallxu që kom me i njoftu të gjithë në Odë, se kom me njoftu vllaun tim, se kom me njoftu mikin tond G, edhe për hir të familjes tane edhe që e kom shok G sdu me u marr me ty ma tutje e as sdu kurr emrin me ta ni.”

Duke parë refuzimin e A.Q, lidhur me favoret e kërkuara nga F.Sh, ky i fundit nis të kërcënoi vajzën duke ja përmendu djalin me të cilin është në lidhje.

“Kur e ka vrejtë se unë e kom seriozisht edhe spo m’bojnë përshtypje hiq favoret e tua edhe cinizmat tu u shtjerr si tij edhe vrejtja jem është serioze, fillimisht ka provu me më frikësu tu ma përmen edhe djalin me të cilin jom në lidhje, masnej ka thon se po ndiheq keq edhe në fund ke përfundu tu mu lut që unë mos me fol e dukë m’thanë edhe përmes telefonit deri sa t’kom blloku “çka duhet me bo unë për ty.”

Ajo në fund ka kërkuar që F.Sh ta inicioi rastin në organet e drejtësisë nëse është provokuar ose është shantazhuar nga ajo.

“F mos ta merr se unë frikësohem pasi që unë jam me ballë hapur para qdo kujt pasi që nuk kam lejuar për asnjë qmim të jap nderin dhe dinjitetin tim ndërsa poshtrimi është në anën e drejtorit të odës. Nëse ai mendon se unë e kam provokuar dhe shatazhuar diqka ai lirisht ta lajmëroj rastin në polici apo kudo qoftë dhe të ballafaqohet me faktet të cilat mua më nxjerrin viktimë e atë fajtor”, thotë ai në email.

Lajmi.net ka kontaktuar me kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli për të pyetur pse nuk është marrë parasysh reagimi i vajzës dhe çfarë masa janë marrë ndaj drejtorit ekzekutiv të OAK-së, por ai nuk ka dashur të komentojë rastin.

Havolli i tha lajmi.net, se është në një takim dhe për këtë çështje t’i drejtohet zyrës për informim, e cila deri në publikimin e artikullit nuk ka kthyer përgjigje.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë edhe të përfshirin kryesor të kësaj ngjarje, drejtorin ekzekutiv të OAK-së F.Sh, por nuk e ka hapur telefonin. Lajmi.net ka nisur edhe email në drejtim të F.Sh, por as prej atje nuk ka përgjigje.

Lajmi.net ka kërkuar një sqarim edhe nga Nasuf Hasani, kryetari i degës regjionale të Prishtinës njëherit edhe anëtar i bordit në OAK.

Hasani konfirmoi vërtetësinë e emailit, duke thënë se rasti nuk është marrë seriozisht dhe nuk është trajtuar nga askush. Më pas, ai deklaroi se ndaj Drejtorit Ekzekutiv do të duhej të merreshin masa, suspendim nga puna.

“Masat janë të përkufizime me rregullore kur të konstatohet në një shkelje, por çështja nuk po iniciohet. Është dashtë së paku të suspendohet, Këshilli Drejtues me marrë vendim, por çështja është, habia është, që nuk është ndërmarr asgjë ndaj tij”, ka thënë Hasani për lajmi.net

Se a ka pasur edhe ankesa të tjera të mëhershme ndaj drejtorit ekzekutiv të OAK-së, Hasani tha se vetëm për këtë rast është në dijeni.

“Pa përgjegjësi. Keqpërdorim i pozitës zyrtare, shkelje e të drejtave të kandidatëve të tjerë që kanë konkuru. Absolutisht, kjo është punë e pamoralshme. Ai (kryetari i OAK-së) është dashtë me ftu në takim (vajzën e përfshirë. Si është puna? Por ai se ka ftu hic”, ka thënë më pas ai lidhur me injorimin që Havolli i ka bërë vajzës së përfshirë në rast duke mos e ftuar në takim për t’u sqaruar.

As Këshilli Drejtues nuk e ka parë të arsyeshme të diskutohet ky rast me arsyetimin, sipas Hasanit, se disa kanë thënë se nuk e kanë lexu emailin.

“Herën e kalume e kam lëshuar mbledhjen, herën e kaluar kam kërku me u sqaruar kjo çështje, do me thënë ata se kanë pa të arsyeshme. Unë nuk ka më lënë më kaq. Po pres mbledhjen e ardhshme, po mendoj që ai vet duhet të veproj. Është absurde me fsheh atë gjë. Në vend që të trajtohet ata e fshehin”, ka thënë mes tjerash anëtari i bordit në OAK.