Sondazhi/ Trump më i vlerësuar se Biden, nëse zgjedhjet mbahen sot

Ish-presidenti Donald Trump do të fitonte kundër Biden nëse zgjedhjet presidenciale mbahen sot, këto janë gjetjet e një sondazhi në SHBA, i cili e nxjerr favorit republikanin edhe më shumë, kundrejt nënpresidentes Kamala Harris.

Një sondazh i ri në Shtetet e Bashkuara ka zbuluar se nëse zgjedhjet presidenciale të ardhshme do të mbaheshin sot, ish-presidenti Donald Trump do të mundte Joe Biden me të paktën 6% më shumë.

Ndërsa nëse kundërshtarja e Trump do të ishte zv/presidentja Kamala Harris, ai do të fitonte ndaj asaj me 11% më shumë të votave.

Sondazhi i publikuar nga gazeta amerikane ‘The Hill’ hedh në dritë megjithatë se 12% të sonduarve janë ende të pavendosur.

Republikani dhe presidenti aktual i SHBA-ve kanë lënë të kuptohet se do të rikandidojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Gjetjet e sondazhit, vijnë disa muaj para zgjedhjeve afatmesme të nëntorit, në të cilat republikanët shpresojnë të rimarrin kontrollin e Kongresit.

Vlerësimi për Administratën Biden aktualisht është rreth 39% në mes të luftës në Ukrainë, normës më të lartë të inflacionit ndër dekada në SHBA, si dhe rritjes së çmimit të gazit.