Sot kuvendi Komunal i Prishtinës mban seancë të jashtëzakonshme për çështjen e këmbimit të pronave

Një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të mbahet sot me fillim nga ora 14:00.

Propozim-vendimi për anulimin e një vendimi për këmbimin e një prone komunale në “Prishtina e Re” me një pronë private në Badoc do të jetë në rend të ditës.

Seanca u thirr të dielën nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që të dielën mblodhën nënshkrimet e nevojshme.

Gjykata Themelore e Prishtinës së fundmi e ka miratuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për ta shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këmbimin e pronës komunale në “Prishtina e Re” me prona private në Badoc.

Një tokë në Badoc, ku planifikohej ndërtimi i një lagjeje është vendosur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës që të këmbehej me një pronë gati trefish më të madhe në zonën Prishtina e Re.

Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin ndihmuar për ta bërë kuorumin kur u mor vendimi për këmbim në dhjetor të vitit të kaluar.

Kryetari i Prishtinës ,Përparim Rama insiston se procesi i këmbimit të pronave, për të cilin thotë se ka filluar në qeverisjen e kaluar, është i ligjshëm. Ai thotë se Ministria e Financave i ka vlerësuar tokat para se ai të vinte në karrigen e kryetarit dhe sipas tij, pronën në Badoc me 8 milionë euro, ndërsa atë komunalen me 3 milionë euro. Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se për këtë vendimi i takon Komunës dhe duhet pyetur Komuna.