Sot në Kuvend debatohet për veprimet e Qeverisë ndaj gazit amerikan

Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbajë seancë plenare, duke filluar nga ora 10:00.

Në seancën e sotme përveç projektligjeve që do të shqyrtohen, pritet të mbahet edhe debat parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë për projektin e gazit me MCC.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se për momentin nuk është e interesuar për ndërtimin e rrjetit të gazit që do të lidhte Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Refuzimi që qeveria ia bëri këtij projekti nxiti debat në Kosovë pasi partitë opozitare thanë se po refuzohet një projekt amerikan me interes strategjik për vendin.

Projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit me Maqedoninë e Veriut, sipas Qeverisë së Kosovës parashihej të bëhej me mbështetje të agjencisë amerikane, Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)/Fokusi.info/