Rozeta Hajdari, ministrja e Kurtit për Ekonomi ishte e punësuar në zyrën e Hashim Thaçit, u largua për punë të dobët

Më 6 janar 2020, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte propozuar emrat për ministra dhe zëvendëskryeministrin e dytë nga partia e tij. Mes tyre ishte edhe emri i Rozeta Hajdarit, e nominuar nga Kurti për postin e ministres së Ekonomisë.

Emri i znj.Hajdari ishte befasi për opinionin duke qenë se nuk njihej publikisht deri më tani. Mediat kosovare raportuan për punët që ka bërë deri tani ajo. Veç tjerash, znj. Hajdari, kishte udhëhequr Qendrën e Koordinimit të Donatorëve në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, deri kah fundi i vitit 2008.

Ish-shefi i kabinetit të Thaçit, Abelard Tahiri, e ka konfirmuar për Periskopin se znj.Hajdari ka qenë këshilltare në kabinetin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, gjatë mandatit të parë. Ajo ka qenë e kontraktuar nga UNDP si këshilltare në Zyrën e Kryeministrit, deri në fund të vitit 2008.

“Ka qenë aty, në cilësinë e këshilltares së jashtme. Ka qenë e angazhuar deri kah fundi i vitit 2008. Poashtu si pjesë e delegacionit qeveritar ka qenë edhe pjesmarrëse në konferencën e donatorëve për Kosovën që është mbajtur në Bruksel pas shpalljes së pavarsisë, më 17 shkurt”, ka thënë Tahiri për Periskopin, i cili ka shtuar se ‘Hajdari ishte larguar për shkak të performancës së dobët në punën e saj’.

Në ditën kur kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, do të takohej me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, ai nëpërmjet një video, bëri të ditur emrat e që partia e tij, propozonte për ministra. Përveç zonjës Hajdari, për ministra, Kurti ka propozuar Albulena Haxhiun për ministre të Drejtësisë, Besnik Bislimi si ministër i Financave, Arben Vitia si ministër i Shëndetësisë dhe Blerim Reka si ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës.