Specialja: Nëse do të ngrihen aktakuza të reja, do të publikohen pasi të konfirmohen

Gjykata Speciale, në një përgjigje me shkrim për emisionin “Betimi për Drejtësi” , ka thënë se nëse do të ngrihen aktakuza të reja, ato do të publikohen pasi të konfirmohen nga gjykata.

“Në çështje të mëparshme, vendimi i Kryetares për caktimin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake për shqyrtimin e aktakuzës ishte publik dhe aktakuzat u bënë publike pas konfirmimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Gjykata Speciale thotë se kjo gjykatë u bë funksionale në aspektin gjyqësor në vitin 2017 dhe se gjykimi i parë filloi në vitin 2021, një vit pasi u bë publike aktakuza e parë. Sipas tyre, deri tani nuk ka pasur asnjë konstatim nga ndonjë panel e as nga Avokati i Popullit lidhur me ndonjë vonesë në procedurat gjyqësore.

Kjo gjykatë thotë se nga shtatori i vitit 2020 janë mbajtur 95 seanca publike, të cilat janë transmetuar në internet në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte dhe së të njëjtën periudhë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Trupat Gjykues dhe Panelet e Apelit kanë nxjerrë më shumë se 800 vendime dhe urdhra gjyqësorë.

“Gjithashtu, prej shtatorit 2021, kur filluan gjykimet, njësia e posaçme e Zyrës Administrative e ngarkuar me mbrojtjen e dëshmitarëve ka siguruar paraqitjen në kohë dhe të sigurt të rreth 27 dëshmitarëve”, thotë Gjykata Speciale.