Specialja pritet të rishikojë masën e paraburgimit për Gucatin dhe Haradinajn

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë kohë deri të premten e 18 dhjetorit që të paraqesin para gjykatësit të procedurës paraprake një parashtrim me shkrim për arsyet e paraburgimit.

Para marrjes së vendimeve për rishikimin e masës së paraburgimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt, gjykatësi paragjyqësor do të shqyrtojë parashtresat e palëve për këto çështje.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake vëren se Gucati dhe Haradinaj kanë qenë në paraburgim që nga arrestimi i tyre përkatësisht më 25 dhe 26 Shtator 2020 dhe paraburgimi i tyre u rishikua për herë të fundit në 27 Tetor 2020. Në këtë rast dhe në përputhje me nenin 41 të Ligjit dhe Rregullës 57 (2) të Rregullave, rishikimi i ardhshëm i paraburgimit të tyre duhet të ndodhë dy muaj nga vendimi i fundit mbi ndalimin, përkatësisht Vendimet për Rishikimin e Paraburgimit, dhe rrjedhimisht deri në 27 Dhjetor 2020”, thuhet njoftimin e Gjykatës Speciale.

Në njoftim thuhet se pas skadimit të dy muajve nga vendimi i fundit mbi paraburgimin, do të shqyrtohet ekzistenca ose jo e arsyeve të paraburgimit dhe do të merret një vendim për zgjatjen ose ndërprerjen e kësaj mase.

“Në zbatim të nenit 41 (10) të ligjit, deri në përfundimin e një aktgjykimi përfundimtar ose deri në lirimin, pas skadimit të dy muajve nga vendimi i fundit mbi paraburgimin, gjyqtari i procedurës paraprake i lidhur me çështjen do të shqyrtojë nëse ekzistojnë ende arsyet e paraburgimit dhe merr një vendim me të cilin zgjatet ose ndërpritet paraburgimi”.

Më 24 shtator të këtij viti janë lëshuar dy urdhërarreste ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më pas edhe një urdhër për transferimin e tyre për në Hagë.

Ndërsa, më 25 shtator 2020, të dyshuarit u arrestuan në Kosovë. Gucati dhe Haradinaj u transferuan në objektet e paraburgimit më 25 dhe 26 shtator 2020.

Të arrestuarit tjerë nga Gjykata Speciale janë Salih Mustafa, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi të gjithë këta krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.