Sqarohet tentativa e ‘rrëmbimit’ në Elbasan, zbardhet dëshmia e taksistit

24 orë pas ngjarjes, sqarohet ajo që u raportua fillimisht si tentativë rrëmbimi në qendër të qytetit. Një taksist mbrëmjen e djeshme u shoqërua nga policia, pas denoncimit se tentoi që të rrëmbente një 15-vjeçar. Sami Meta 55-vjeç u shoqërua me akuzën e tentativës së rrëmbimit, por mohoi akuzat.

Taksisti mbrëmë e pa djalin në trotuar dhe i kërkoi që ta hipi në taksi duke i thënë se do ta çonte në shtëpi. Djali refuzoi duke mos e njohur taksistin dhe i bëri një foto makinës dhe më pas ia nisi babit të tij. Pas kësaj familjarët e fëmijës bënë denoncimin dhe policia ndërhyri duke kapur në flagrancë taksistin.

Gazetari i Report Tv, Aldo Kozarja zbardhi dëshminë e taksistit që tashmë po hetohet në gjendje të lirë dhe foton e makinës nga vendi ku u raportua ngjarja mbrëmë. Taksisti Sami Meta u shpreh në polici se fëmija i kishte ngjarë me nipin e gruas prandaj kishte tentuar ta merrte në makinë. “Ishte një keqkuptim, pasi mendova se djali ishte nipi i gruas”. Pas verifikimeve që janë bërë, hetimet po vijojnë në gjendje të lirë.