Studimi i fizibilitetit të Ujmanit mund të përcaktojë marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Pas pak javësh, ekspertët amerikanë nga Departamenti i Energjisë pritet të nisin studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, pikë kjo e marrëveshjes së Uashingtonit për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ekspertë shqiptarë e serbë, të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, po e shohin këtë proces si përcaktues edhe për marrëveshjen finale për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja vende.

Në procesin e dialogut, Serbia kishte insistuar vazhdimisht që menaxhimi i Ujmanit të jetë në kompetencë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjë të cilën e kishte refuzuar kategorikisht pala kosovare.

Ky liqe konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë 7 komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.

Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.

Dragisha Mijaçiq, drejtor i Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial, një organizatë joqeveritare, në një intervistë pët Radion Evropa e Lirë vlerëson se Serbia ka të drejtë të pretendojë hise në Ujman dhe se mund ta kontrollojë rrjedhën e lumit.

“Serbia në çdo moment, mund të ndërtojë një pendë të re, një hidro-elektranë pasi lumi Ibër kalon në territorin e saj. Kjo do të ndikonte në zbrazjen e liqenit, gjë e cila do të godiste zhvillimin ekonomik të shoqërisë dhe stabilitetin e përgjithshëm të Kosovës qendrore”.

Por, profesoresha e së Drejtës Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Prishtinës, Iliriana Islami, i tha Radios Evropa e Lirë se një hap i tillë do të ishte shkelje e parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare Publike.

“Absolutisht, Serbia nuk mund të ketë një të drejtë të tillë. Ajo është rreptësishtë e ndaluar me të drejtën ndërkombëtare, sepse ujërat që kalojnë nëpër territorin e dy apo më shumë shteteve, duhet ta kenë sasinë e ujit ashtu sipas rrjedhës natyrore. Bile, së paku, është i kufizuar edhe peshkimi apo çfarëdolloj tjetër, që nuk e ka (lë) të pasur në mënyrë të mjaftueshme siç e ka pasur më herët më herët në shfrytëzimin e këtyre ujërave’ .

Islami sqaron se në të Drejtën Ndërkombëtarë ekziston një rregull bazë, që quhet parim i mirëbesimit, i vendosur sipas doktrinës së Harmonit, e përcaktuar me 1907 që kishte të bënte me mosmarëveshjet ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës, lidhur me shfrytëzimin e ujërave.

“Marrëveshja duhet të ketë për bazë, barazinë sociale, zhvillimin ekonomik si dhe mirëbesimin për mos ndotjen e ambientit. Ndërsa për çështje të tjera që kanë të bëjnë, qoftë më ndërtimin e digave, shfrytëzimin e ujërave për termocentrale apo diçka tjetër, që mund të vijnë më pas, këto janë gjithmonë të ndaluara, për shkak se konsiderohet se çdo marrëveshje e përcakton qartë, metrin kub të ujërave që e shfrytëzojnë territoret. Madje, e përcaktojnë që as fauna, nuk mund të zvogëlohet’ sqaron profesoresha Iliriana Islami.