“Subvencionimi i pajisjeve shtëpiake efiçiente”, Abazi: Dështimi i radhës në sektorin energjetik

Deputeti i pavarur, Haki Abazi e ka kritikuar nismën e qeverisë për mbështetjen e qytetarëve për energji e pajisje efiçiente.

Sipas Abazit, pushteti aktual po e “konsideron” shtetin si lodër fëmijësh.

“Para katër ditëve në prezencë e me fjalim të Kurtit u hap mundësia për aplikim për intervenim për rritje të efiçiencës të përdorimit të energjisë dhe për pajisje efiçiente. Nismë për të thënë e për t’përshëndetur. Afati për aplikim sipas raportimeve është mbyllur pas dy ditëve. Çfarë të thuhet, si të shpjegohet apo kush janë këta njerëz që shtetin e shohin si lodër fëmijësh. Natyrshëm Kurti del në konferencë për shtyp me ministrat kur duhet të përfitoj ndonjë poen, por ngaqë thellësisht manipulator nuk paraqitet kur dështimi është i qartë dhe pas dy dite mbyllet konkursi”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, ky lloj subvencionimi e shkatërron tregun.

“Kthehemi te energjia dhe efiçienca dhe mbajmë vështrimin thjeshtë dhe pa komplikime. Pajisjet efiçiente dhe subvencionimi tyre si program është aplikuar me vite në Kosovë me fondet e Bashkimit Evropian. Përfituesit kanë qenë shitësit e pajisjeve, frigoriferë, shporeta, bojlerë, ujtitë etj. Dmth ky program është i dështuar sepse pajisjet blihen dhe kthehen për të përfituar diferencën në kesh. Pyetni ekspertin nga Shqipëria që ka udhëhequr këtë program në Kosovë. Gjithashtu ky lloj subvencionimi sikur edhe në rastin e pompave termike e prish tregun sepse ngrit kërkesën pa nevojë dhe rrjedhimisht edhe çmimin. Në rastin e pompave termike, çmimi për njësi është ngritur deri në 35-40%. Një pompë termike që në Maqedoni të V. kushton 6000 euro në Kosovë në kohën e subvencionimit është shitur 10,000 euro dhe vazhdon”, ka vijuar ai.

Sipas tij, “rritja artificiale nëpërmjet subvencioninit e kërkesës në treg dhe koha e shkurtër për aplikim dhe lëvrim të grantit në njërën anë dhe mungesës së plotë të përshkrimit të saktë të specifikacionit teknik dhe kritereve, ka sjellur në treg dhe janë instaluar pajisje që janë joefiçiente, të pa standardizuara e me raste edhe me gazra që nuk pranohen në BE”.

Sipas tij, kjo nismë është duke u bërë pa ndërtim dhe pa standardet teknike duke e quajtur si keqmenaxhim të fondeve publike.

“Përkrahja me paratë e taksapaguesve për izolim të shtëpive dhe hapsirave të banuara është duke u bërë pa ligjin për ndërtim, pa standardet teknike, pa specifikacion teknik, pa përshkrim të standardeve të dyerve dhe dritareve, pa standard të llojit të xhamit (qelqit), pa kualifikim të kryersve të punëve apo mbikqyrjes së realizimit teknik. Dmth vazhdim i njejtë se si janë bërë punët në të kaluarën, qëllimi është tenderi, shpenzimi i buxhetit dhe ndonjë foto në facebook apo video në instagram apo të dyja kinse çdo gjë është në rregull. Puna mbarë, po kjo nuk është as afër asaj çfarë është premtuar! Në fakt është keqpërdorim, keqmenagjim i thellë i fondeve publike dhe padituri e përgaditjes dhe dizajnimit të politikave publike dhe zbatimin e tyre”.

Ministria e Ekonomisë më 18 gusht ka shpallur thirrjet për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar.

Në thirrje përfshihet subvencionimi i makinave rrobalarëse, makinave enëlarëse dhe frigoriferëve ose frigoriferëve me ngrirëse.

Vlera e subvencionimit për një pajisje makinë rrobalarëse është 200 euro, për prindërit vetushqyes vlera e subvencionimit për një pajisje është 300 euro, për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një pajisje është 400 euro.

Vlera e subvencionimit për një pajisje enëlarëse është 150 euro. Për prindërit vetushqyes, vlera e subvencionimit për një pajisje është 250 euro. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një pajisje është 300 euro.

Kurse, vlera e subvencionimit për një pajisje frigorifer ose frigoriferëve me ngrirëse është 100 euro. Për prindërit vetushqyes vlera e subvencionimit është 150 euro. Për qytetarët që janë në mbështetje të skemës së ndihmës sociale (kategoria I & II), vlera e subvencionimit për një pajisje është 200 euro.

Për të dy thirrjet të drejtë aplikimi kanë të gjithë konsumatorët familjar, konsumi mujor i energjisë elektrike i të cilëve nuk është më i vogël se 250 kWh/muaj në të paktën dhjetë muaj brenda dymbëdhjetë muajve të fundit.

Aplikimi për subvencionim bëhet online përmes platformës e-Kosova.