Sulmet e armatosura ndaj Policisë në veri, presidentja Osmani mbledh drejtuesit e institucioneve të sigurisë

Katër sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur në veri të Kosovës.

E shqetësuar nga këto sulme presidentja Vjosa Osmani është takuar me drejtuesit e strukturave të sigurisë në vend.

Burime të Demokracia.com në Presidencë kanë konfirmuar se Osmani ka takuar drejtuesit e institucioneve të sigurisë për të diskutuar për situatën e fundit në vend.

Në takim është folur për hapat që duhet të ndërmerren.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kanë njoftuar për katër sulme ndaj policisë për tri ditë rresht. Kundër policisë është shtënë me armë zjarri AK-47, granata dhe metoda të tjera për të penguar atë në përmbushjen e detyrës. Sulmet janë cilësuar si akte terroriste nga ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.