Suspendohet zinxhiri përgjegjës në Spitalin e Pejës për rastin skandaloz të foshnjës së vdekur

Pas rastit skandaloz të foshnjës së vdekur në Spitalin Rajonal në Pejë, është suspenduar gjithë zinxhiri përgjegjës.

Burimet e Sinjalit nga spitali kanë bërë me dije se personat e suspenduar nuk janë mjekë, pasi të njëjtit s’janë të përfshirë në rast.

Ky rast i tmerrshëm ka ndodhur së fundmi në Spitalin e Pejës, ku një foshnje që ka lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse. Gruaja kishte lindur në javën e tetë për shkak të problemeve shëndetësore. Për rastin tashmë kanë nisur hetimet dhe kjo u konfirmua edhe nga kryeprokurori.

Sinjali mëson se qysh atë ditë, më 14 dhjetor babai i foshnjës ishte ankuar në Polici për shkak se pasi bashkëshortja e tij ka lindur foshnjën pa shenja jete, përderisa ishte në muajin e tetë të shtatzënisë.

Familja kishte insistuar që ta marrin trupin për ceremoninë e varrimit, por një gjë e tillë nuk ishte lejuar nga stafi i spitalit.

Ndërkohë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka thënë për Sinjalin se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për rastin.

“Javën e kaluar ka ndodhur rasti. Prokurorja ka dalë në vendin e ngjarjes. Në prokurori jemi në faza fillestare hetimore dhe nuk mund të ndajmë më shumë informacione për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Prokurorja e rastit ka pritur në takim prindin e foshnjës dhe të njëjtin e ka informuar për të gjithë rastin, teksa e ka njoftuar se do ta mbajë të informuar edhe tutje”, tha Nikçi.