Sveçla pas vizitës me Osmanin në Bërnjak dhe bazat policore në veri: Puna e policëve motiv

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se në vizitat e sotme me presidenten Vjosa Osmani në Kampin e Policisë së Kosovës në Belvedere, si dhe në Bërnjak e Jasenovik, kanë shprehur mbështetjen për kryerjen e detyrave shtetërore të zyrtarëve policorë.

“Patëm nderin e veçantë që sot të presim në Kampin e Policisë së Kosovës në Belvedere, presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, e cila ndau dekorata për zyrtarë e njësi policore në shenjë mirënjohje për punën profesionale e me përkushtim në ruajtjen e sovranitetit dhe ofrimin e sigurisë publike në tërë Republikën”.

“Me këtë rast, vizituam edhe zyrtarët policor në Jasenovik dhe Pikën Kufitare në Bërnjak, për të shprehur mbështetjen e të gjithë neve për kryerjen e detyrave të tyre shtetërore. Profesionalizmi, puna dhe përkushtimi i të gjithë zyrtarëve policor por edhe i institucioneve të tjera të sigurisë, janë motiv për të gjithë ne që të punojmë dhe më shumë për të mirën e përgjithshme”, ka shkruar Sveçla.