Sveçla për kidnapimin e policëve: Ishte organizim i planifikuar, Serbia po mundohet ta deformojë ngjarjen në terren

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka quajtur “akte kriminale” veprimet e Serbisë, duke thënë se “rrëmbimi i policëve është një incident jashtëzakonisht i rëndë”.

“Ky akt kriminal duhet të dënohet ashpërsisht nga faktori ndërkombëtar sepse përfaqëson një shkelje të rëndë dhe shfaq edhe njëherë fytyrën e vërtetë të Serbisë”, tha Sveçla duke bërë thirrje “urgjente për lirimin e policëve”.

Sveçla ka thënë se në vendin e ngjarjes ka pasur edhe drunj me qëllim të pengimit të njësisve asistuese të policisë së Kosovës.

“Unë ditën e djeshme kam vizituar lokacionin i cili ndodhet reth një km territorit tonë, bëhet fjalë në atë rrugë ku është bllokuar për shkak se më herët kishte kontrabandë. Ka qenë e pamundur të kalohej në territorin e Serbisë, ishte një deformim i ngjarjes në terren nga Serbia për ti ikur planit të tyre për kidnapim. Ka pasur edhe drunj me qëllim të pengimit të njësive asistuese të policisë së Kosovës”.

Sipas tij edhe në lidhje me ngjarjen e djeshme ku mbetën të kidnapuar tre policë brenda territorit të Kosovës, Beogradi ndërmori një hap të turpshëm ku kidnapimi siç thotë ai është zhvilluar nga një plan i planifikuar nga njësiti special i forcës serbe “KOBRA” në Bare.

Sipas tij, Serbia është duke u munduar për destabilizim të vendit, tentativa të cilat e kanë direktivën në Beograd.

“Për atë që jemi dëshmitarë javëve të fundit janë grupet e maskuara kriminale të dirigjuara nga Beogradi të cilat kanë sulmuar edhe policinë e KFOR-in, mediat në çfarëdo forme.
Ndonëse policia qe një kohë ballafaqohet me sulme të bandave në veri, javëve të fundit kanë qenë më të shumta. Si pasojë e këtyre sulmeve, një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të KFOR-it dhe policisë kanë mbetur të lënduar. Këto sulme kanë pasur burimin nga Beogradi zyrtar”, ka thënë Sveçla.