Sveçla publikon pamje të dëmeve që shkaktoi sulmi me granatë në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje nga sulmi me granatë dore ndaj ndërtesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka thënë se Kosova është subjekt i sulmeve të vazhdueshme nga ana e Serbisë dhe sipas tij. Ai thotë se fajtorë për sulmin ndaj institucioneve shtetërore të vendit, janë kriminelët që mbështeten nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kosova është subjekt i sulmeve të vazhdueshme e të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë, e cila po e rrit dozën e agresionit ndaj shtetit tonë. Me granata të prodhimit serb, kriminelët e Vuçiqit sulmuan institucionet shtetërore të Kosovës. Mbrëmjen e djeshme ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut ishte shënjestër e një sulmi terrorist, nga i cili u dëmtuan dhe vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Tendenca e Serbisë për ngritje të gatishmërisë së saj për sjellje kriminale dhe terroriste ndaj Kosovës, është dëshmi e rradhës e synimeve të saj destruktive”, shkroi Sveçla.

Më tej ministri i Brendshëm bëri thirrje që ndërkombëtarët të reagojnë dhe të shtojnë presionin ndaj Serbisë, në mënyrë që ajo të mos jetë element destabilizues në rajon.

“Serbisë t’i shtohet presioni në mënyrë që ajo të mos jetë element destabilizues jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj vendeve fqinje në rajon. Këto sulme terroriste duhet të përballen me reagimin e ashpër të komunitetit ndërkombëtar”, tha më tej Sveçla./Fokusi.info/