Syla: Vjosa Osmanit do t’i përfundonte karriera politike po ta dërgonte opozita në Kushtetuese

Gazetari dhe opinionisti, Valon Syla ka thënë se po ta dërgonte opozita në Gjykatën Kushtetuese, presidenten Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), asaj do t’i përfundonte karriera politike.

Syla në T7 ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën.

Ai është ndalur tek pika ku përmendet shkarkimi i Valdete Dakës nga Presidentja Vjosa Osmani.

Në raportin e DASH, shkarkimi i Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së është përmendur së bashku me reagimin e disa organizatave të shoqërisë civile. Syla thotë se shkarkimi i saj ishte shkelje e Kushtetutës dhe se po ta dërgonte opozita në Gjykatë këtë çështje, atëherë karriera politike e Vjosa Osmanit do të merrte fund.

Por Syla shton se opozita u frikësua nga ky veprim për një arsye.

“Rasti i Valdete Dakës është më i rëndë. Shkarkimi i saj përbente shkelje të Kushtetutës e ne e dimë se çfarë ndodhë kur presidenti e shkel Kushtetutën. Tjetër që opozita u frikësua dhe nuk dërgoi pyetje në Gjykatën kushtetuese. E dimë se VV do të fitonte përsëri më shumicë të madhe zgjedhjet dhe aty kalkuluan. Por karriera e Osmanit do të përfundonte aty”, tha ai.