Sylë Hoxha për rastin Dehari: Ato i kemi thënë qëndrojnë, të rejat do t’i shohim

Familja e Astrit Deharit ka prezantuar sot raportin e ardhur nga Zvicra për rastin e Astrit Deharit.

Babai i Astritit, Avni Dehari ka thënë se në bazë të këtij raporti Astrit Dehari është vrarë.

“Raporti na e kanë dhënë dy kopje në dy gjuhë në frëngjisht dhe të përkthyer. Sipas konkluzioneve bëhet fjalë për vrasje dhe jo vetëvrasje dhe sipas kësaj duhet të hapen hetimet për vrasjen e Astrit Deharit”, ka thënë Dehari.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar me Prokurorin e Speciales, Syl Hoxha, i cili në atë kohë ishte Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, prokurori kjo e cila ishte marr me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Hoxha ka thënë se edhe pse ka qenë kryeprokuror ai nuk e ka pasur këtë rast.

Ai po ashtu ka thënë se ato çfarë i kanë thënë kur e kanë prezantuar raportin e autopsis ashtu janë, duke shtuar se detajet e reja do t’i shohin.

“Unë nuk e kam pasur, unë jam në Prokurorin Speciale tani, nuk kam unë lidhje , thërrisni Prokurorinë Themelore në Prizren sepse unë nuk jam më me atë rast. Merruni me ata prokurorët që e kanë rastin, unë asnjëherë nuk e kam pasur rastin, kam qenë Kryeprokuror por prokuror i rasti s’kam qenë asnjëherë. Ato çka i kemi thënë ato ashtu janë, e ato çka dalin të reja i shohim”, ka thënë Syla sot për lajmi.net.

Mirëpo, në nëntor të viti 2016 Prokuroria e Themelore e Prizrenit kishte prezantuar para mediave rezultatet e raportit të autopsisë për rastin Dehari të cilat konstatonin se Astrit Dehari kishe kryer vetëvrasje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, në nëntor të viti 2016, duke prezantuar para medieve rezultatet e raportit të autopsisë për rastin Dehari, tha se “nga raporti i autopsisë rezulton se vdekja e të ndjerit Astrit Dehari ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike “mbyllja ose bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes”, si pasojë e dëmtimeve të vetëshkaktuara, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme”.

Sipas prokurorit Hoxha, pjesë e hetimeve ishin edhe videoinҁizimet brenda burgut dhe pas kontrollit të tyre nuk ka rezultuar për dyshime të ketë pasur përleshje fizike apo ndonjë problem ndërmjet të burgosurve dhe oficerëve me të ndjerin Astrit Dehari. “17 persona janë marrë në pyetje por nuk kemi ndonjë të dyshuar. Të gjitha provat dhe ekzaminimet e deritashme të kryera gjatë procesit hetimor vënë në pah se ky rast ishte vetëvrasje”, kishte thënë prokurori Sylë Hoxha në nëntor të viti 2016.