Tahiri i AAK-së për kishën: Nuk është objekt fetar por politik

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK’së Besnik Tahiri ka folur rreth mbajtjes së liturgjisë fetare në Kishën brenda kampusit të UP’së. I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në T7, ai ka dhënë arsyet pse s’duhet lejuar aktivitetet e tilla.

Deputeti Besnik Tahiri ka kritikuar institucionet e vendit që lejuan mbajtjen e një liturgjie fetare në kishën brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Absolutisht nuk u dashtë me u mbajt”, tha ai.

“Çka kish ndodh me Kosovën nëse kish ndodh një sulm aty, me ardh dikush e ne gjuajt një guri”, pyeti ai.

Sipas Tahirit, qëllimi i Serbisë është zbatimi i Asociacionit dhe rritja e fuqisë së kishës në Kosovë.

“Nuk është objekt fetar por politik që e ka ndërtuar okupatori me para të Arkanit. Nuk duhet lejuar politizimi”, theksoi Tahiri.

Peshkopi Teodosije i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit së bashku me peshkopë dhe besimtarë tjerë kanë mbajtur me datë 10 të këtij muaji shërbesë për herë të parë prej vitit 1998 në Kishën e braktisur, që gjendet në Kampusin e UP’së.