Tahiri: Kuvendi është bllokuar, e Qeveria ka probleme serioze në menaxhim

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri është deklaruar pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai tha se Kuvendi është tash e sa muaj i bllokuar dhe jofunksional. Tahiri deklaroi se kjo nënkupton që shumica parlamentare, koalicioni qeverisës kanë probleme serioze me menaxhimin e përgjegjësive që kanë marrë, si në Kuvend, poashtu edhe në Qeveri.

“Edhe sot dështoi mbledhja e Kryesisë së Kuvendit… Në historinë e jetës parlamentare nuk mbahet mend që një shumicë të ketë mbi 61 vota, ndërsa tash pesë mbledhje të Kryesisë të dështojnë dhe para jush të kemi 37 pika të rendit të ditës të cilat duhet të shqyrtohen në Kuvend dhe si rrjedhojë kryetari i Kuvendit të merr vendim të thërret seancë të enjten në ora 10:00”, tha shefi i deputetëve të AAK-së.

Madje sipas tij, së paku katër ditë duhet të mbajnë seanca parlamentare për të zënë hapin e punës.

Besnik Tahiri tha se agjenda legjislative ka qenë ambicioze përderisa ligjet që kanë ardhur në Kuvend janë ligje që realisht nuk hyjnë në procedurë këtë vit.

Tahiri tha se Ligji për paga në sektorin publik është një ligj shumë i rëndësishëm pasi trajton pagën në një situatë kur tani janë ngritur çmimet dhe ka rritje të shpenzimeve të familjeve.

Ai më tej tha se zgjedhjet lokale kanë ndikuar në funksionimin e Kuvendit dhe duhet një reflektim serioz.