Tahiri premton plotësimin e kërkesave të administratës së gjyqësorit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka raportuar sot para Komisionit për Legjislacion në Kuvend.

Temat për të cilat Tahiri është ftuar në raportim janë provimi i fundit i noterisë, kërkesat e Sindikatës së Shërbimit Korrektues për pagat dhe kërkesat e administratës në sistemin e drejtësisë.

Kjo e fundit në fakt po diskutohet e para meqë Komisioni për Legjislacion e ka parë të arsyeshme të mësohet në çfarë rrethana dhe kushte kanë pranuar punëtorët e administratës të mos jenë në grevë që nga 1 korriku, ashtu siç ishte paralajmëruar nga ta për shkak të kushteve të këqija të punës.

Ministri i Drejtësisë tha se do t’i adresojë dhe do t’i plotësojë kërkesat e tyre ashtu siç ka bërë në muajin gusht të vitit të kaluar në mënyrë që ata të mos e pezullojnë punën, njofton Klan Kosova.

Shtesat për punën shtesë, transporti deri në Pallatin e Drejtësisë dhe rritja e pagave janë disa nga kërkesat që pritet t’i plotësohen administratës së gjyqësorit.

Tahiri para deputetëve njoftoi edhe se do të rriten pagat për punëtorët e Shërbimit Korrektues të cilët, sipas tij, duhet të kenë një koeficient më të lartë ngjashëm me atë të policëve.

Gjatë raportimit të Tahirit, kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu theksoi se pagat e punëtorëve të administratës janë pesë herë më të ulëta se sa ato të gjyqtarëve, që sipas saj degradimi kaq i madh i këtyre punëtorëve nuk i lë ata ta kryejnë punën siç duhet.

Për këtë çështje është në dijeni edhe vetë ministri Abelard Tahiri.

Ai bëri të ditur se Ligjin për Paga shpreson se do të mundet që përmes Avokatit të Popullit ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të punohet akoma në të dhe të bëhet një nivelizim i pagave të punëtorëve të administratës së gjyqësorit të cilat kanë shumë dallim ndërmjet vete.