Takimi i radhës Kurti-Mustafa, flasin nga Vetëvendosje

Dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja pritej që pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të finalizonin marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Por kjo gjë nuk ndodhi, Albin Kurti e Isa Mustafa edhe pas disa takimeve nuk u dakorduan për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv, por problemi më i madh mes tyre është pozita e presidentit për të cilën po insiston LDK-ja.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, gjatë kësaj jave deklaroi se presin ftesë nga VV-ja si parti e pare për takimin e radhës, por nuk dha një datë të mundshme se kur mund të ndodhë takimi i radhës.

Zyrtari për media nga Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë Kurti e Mustafa janë në kontakt të vazhdueshëm, por nuk ka treguar se kur mund të takohen.

“Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti momentalisht është jashtë vendit, por ai mban komunikim me kryetarin Mustafa dhe sa jemi ne dijeni Kurti i ka shkruar së fundi kryetarit të LDK-së”, ka thënë Manxhuka për Reporteri.net.

Por burime të Reporteri.net Brenda Vetëvendosjes kanë thënë se takimi i radhës do të ndodhë javën që po hyjmë.

Reporteri.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga LDK-ja për t’i pyetur nëse kanë marrë ftesë nga VV-ja, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Kujtojmë se VV e LDK menjëherë pas zgjedhjeve kanë mbajtur takime me grupe punuese për harmonizimin e programit bashkëqeverisës.

Një program i tillë, nga të dyja partitë u tha se u harmonizua pothuajse 100 për qind në të gjitha fushat.

Por gjërat ngecën pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, kur nisën takimet mes liderëve të dy partive, ndonëse Kurti kishte deklaruar se marrëveshja do të arrihet 72 orë pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ-ja.