Takimi Rama-Kurti, zbardhen detaje nga bisedat mes dy kryeministrave

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot drejt Tiranës, siç ka thënë për një “takim urgjent”.

Siç raportojnë mediat në Shqipëri, në takimin që ka zgjatur për rreth dy orë, kreu i Qeverisë kosovare dhe kryeministri shqiptar Edi Rama kanë qëndruar në “Vilën 31” e ku në fokus kanë pasur disa tema.

Report Tv shkruan se në takim është folur për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e infrastrukturës , konkretisht për portin e Durrësit dhe për hekurudhën Tiranë-Prishtinë.

Derisa Klan Tv raporton se temë diskutimi ka qenë edhe kriza energjetike.

“Gjithashtu kriza energjetike që duket se më së shumti po prek Kosovën duke qenë se edhe më parë ka pasur nevojë dhe ndihmë nga Shqipëria për të përballuar krizën energjetike”, raporton gazetarja e Klan Tv.

Derisa tema tjetër që mësohet të kenë diskutuar dy liderët e dy qeverive është Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër raportit të Dick Martyt, e të cilën Rezolutë, Edi Rama do të vendosë edhe në agjendën e Këshillit të Evropës.