Të dyshuar për plagosjen e këshilltarit të Limajt janë babai dhe vëllau i ish-gruas

Luan Maloku, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj është plagosur sot në orët e pasdites në Veternik të Prishtinës.

Gjithçka ndodhi rreth orës 17:00 në lagjen Veternik në dalje të Prishtinës.

Policia ka treguar se gjendja e Malokut është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Lajmi.net nga burimet e veta ka mësuar se të dyshuar në këtë rast janë dy njerëz të afërm të Luan Malokut, konkretisht vëllau i ish-gruas së tij dhe babai i ish-gruas.

Maloku siç mëson lajmi.net është ndarë së fundmi nga bashkëshortja e tij, dhe si të dyshuar për plagosjen janë O.G dhe U.G (emra të njohur për redaksinë), familjarë të ish-gruas së Malokut.

Policia e Kosovës ka treguar për lajmi.net se ka arrestuar njërin nga të dyshuarit e rastit në fjalë.

Po ashtu, pas arrestimit është konfiskuar edhe arma e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Detaje të tjera rreth motivit të plagosjes ende nuk dihen teksa nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e rrethanave të plota.