Të mërkurën protestohet për vendimin e Gjykatës për 20-vjeçarin që goditi për vdekje dy gra në Prishtinë

Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënim me 3.5 vjet burg të të riut i cili kishte goditur me veturë dy gra te rruga B në Prishtinë, ka ngjallur reagim të familjarëve dhe shoqërisë civile. Për këtë vendim, i cili po cilësohet si skandaloz, nesër do të protestohet

Shoqëria civile ka paralajmëruar protestë për nesër në ora 12:00, te Pallati i Drejtësisë.
Kjo pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të riun i cili kishte shkelur me veturë aksidentalisht dy gra në rrugën B në Prishtinë.

Dy të aksidentuarat kishin humbur jetën në QKUK, nga plagët e rënda.

“Drejtësia dështon! Për dy jetë të humbura fajtori dënohet me 3.5 vjet burg. Prandaj, Shoqëria civile organizon Protestë më 6 mars 2019, ora 12:00, para Gjykatës Themelore të Pallatit të Drejtësisë në Hajvali.

Në aksidentin që ndodhi me 22 tetor të vitit të kaluar në rrugën “B” në Prishtinë, humbën jetën dy vajza të reja.

30-vjeçarja, me inicialet L.A., ndërroi jetë menjëherë si pasojë e mos-përballimit të plagëve të marra nga goditja e veturës. Kurse 23-vjeçarja tjetër, F.R., ndërroi jetë disa ditë më vonë.

Policia e Kosovës kishte arritur të arrestojë ngasësin e veturës BMW, L.M 20-vjeç.
20-vjeçari u dënua sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 3 vjet e 6 muaj burgim.
Familjarët janë shprehur të revoltuar me vendimin në fjalë pas përfundimit të seancës gjyqësore.