Telashe për Kosovën, katër lojtarë nuk udhëtojnë në Sofje

Kosova është e ‘gjymtuar’ para ndeshjes së ardhshme në kualifikimet e Euro 2020.

Testi i radhës do të jetë ndeshja kundër Bullgarisë në Sofje, më 10 qershor (e hëne).

Në barazimin 1 – 1 kundër Malit të Zi, Kosova humbi edhe Arbër Zenelin, i cili pësoi një lëndim në gju, lëndim që do t’ia pamundësojë udhëtimin në Bullgari.

Arbër Zeneli kështu i bashkëngjitet listës së emrave si; Valon Berisha, Herolind Shala e Hekuran Kryeziu, shkruan lajmi.net.

Situatën për Challandes akoma më shqetësuese e bën deklarata e Arijanet Muriç pas ndeshjes së mbrëmshme, kur portieri la të kuptohet se është në pikëpyetje për ndeshjen e radhës.

“Do ta shohim, do të fle sonte dhe pastaj do t’iu tregoj”, ishin fjalët e portierit kur u pyet nëse do të jetë i gatshëm.

Lëndimet sigurisht se nuk janë të mirëseardhura asnjëherë, por Challandes ka mjaft lojtarë cilësor në listën e tij. Mbetet të shihet se cilat do të jenë zgjedhjet e trajnerit për ndeshjen e radhës.