Tërhiqen përkrahësit e Iranit nga ambasada e SHBA’së në Bagdad

Grupet paraushtarake të mbështetur nga Irani që protestojnë ndaj sulmeve ajrore amerikane në Irak u tërhoqën nga Ambasada Amerikane në Bagdad të mërkurën pas një dite të dytë të protestave, edhe pse Teherani dhe Washington shkëmbyen kërcënime mes tyre.

Më parë, personeli i sigurisë amerikane hodhi gaz lotsjellës dhe plumba gome mbi qindra demonstrues pasi ata hodhën gurë mbi ndërtesë dhe u përpoqën të vinin zjarr në muret e saj dhe kabinat e sigurisë në hyrjen kryesore të kompleksit.

Protestat vunë në shënjestër Shtetet e Bashkuara në përgjigje të sulmeve ajrore amerikane ndaj një grupi të mbështetur nga Irani, Kataeb Hezbollah, të dielën, për të cilën Washington nga ana e tij tha se ishte një përgjigje ndaj vrasjes së një kontraktori amerikan në një sulm me raketa javën e kaluar.

Brian Hook, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA për Iranin, i tha rrjetit CNN, “diplomatët janë të sigurt dhe po ashtu është ambasada jonë. Sot situata është shumë më e mirë. Nuk ka asnjë kërcënim të afërt për pronën ose personelin amerikan.”

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në një fjalim në televizionin shtetëror, dënoi sulmin amerikan mbi rrjetin paramilitar Hashed al-Shaabi në Irakun perëndimor.

“Unë dhe qeveria dhe kombi i Iranit e dënojmë me forcë këtë krim amerikan,” tha Khamenei.

Udhëheqësi iranian pretendoi se Teherani nuk kishte asnjë lidhje me protestat në Bagdad

Një grup i vogël protestues mbeti në ambasadë dhe thanë që ata nuk do të largoheshin derisa forcat e SHBA-së të dëboheshin nga Iraku, por shumica u zhvendosën në një kamp të ri proteste përpara një hoteli aty pranë.

Më parë, personeli i sigurisë amerikane hodhi gaz lotsjellës dhe plumba gome në qindra demonstrues në ditën e dytë të protestave në ambasadën amerikane, pasi protestuesit hodhën gurë në ndërtesë dhe u përpoqën të vinin zjarr në muret e saj dhe kabinat e sigurisë në hyrjen kryesore të kompleksit.

Presidenti Amerikan Donald Trump ka lënë të kuptohet se nuk është ide e mirë për Iranin që të përshkallëzojë armiqësitë në një luftë me Shtetet e Bashkuara.

“Nuk mendoj se është ide e mirë për Iranin. Nuk do të zgjaste shumë. Unë dua paqe. Irani duhet të dojë paqen më shumë se kushdo. Nuk e shoh se mund të ndodhë gjë. Nuk e mendoj se Irani do që të ndodhë diçka. Do të përfundonte me shpejtësi.”

Presidenti postoi në rrjetet sociale se do të mbante përgjegjës Iranin për çdo dëmtim në objektet amerikane. Ai shkroi se “ata do të paguajnë një çmim shumë të madh. Ky nuk është paralajmërim. Është kërcënim”.

Udhëheqësi amerikan foli të martën me Kryeministrin Adel Abdul Mahdi të Irakut lidhur me nevojat për të mbrojtur personelin dhe objektet amerikane në Irak. Gjatë komenteve për shtypin, Presidenti Trump falënderoj qeverinë irakiane duke thënë se kishin vepruar mirë.

Pentagoni po dërgon 750 trupa shtesë në Lindjen e Mesme në atë që Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper e quajti si veprim të duhur dhe parandalues.