Kurti nuk e përjashton mundësinë e një lufte në Kosovë

Në një intervistë për Večernji list, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur hapur për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe ka shprehur shqetësimin e tij se Serbia aktualisht po armatos fuqishëm ushtrinë e saj me pajisje që i merr nga Rusia dhe Kina.

Ndër të tjera, Albin Kurti në një bisedë të hapur nuk e përjashton mundësinë e një lufte në Kosovë sepse rreth kufirit të Kosovës me Serbinë në anën serbe janë 48 baza operative sulmuese progresive, prej të cilave 28 janë ushtarake dhe 20 i përkasin xhandarmërisë, dhe ai beson se do të ishte e papërgjegjshme të thuash se nuk do të ketë kurrë konflikt, se nuk do të ketë më luftë, përcjell lajmi.net.

“Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar, dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitjet më të rëndësishme ushtarake që kishin qenë, të quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllovene’”, ka pyetur Kurti.

Përveç tjerash Kurti foli edhe pse e kundërshton themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe sepse do të ishte parathënie e krijimit të Republikës Srpska të re. Ai posaçërisht theksoi se përderisa serbët i kanë këto ëndrra për Kosovën si pjesë e Serbisë, këto ëndrra do të kthehen në makth për të gjithë Ballkanin, duke theksuar se në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë, as paqe pa shqiptarë.

Sipas Kurtit, gjëja më e rrezikshme është se lidershipi i Serbisë e konsideron Rusinë nënë e tyre dhe për këtë arsye në Ballkan kemi rrethana të tilla me shumë rrezik dhe frikë.