“Termokos”-i fillon furnizimin me ngrohje 4 ditë para kohe

Pasi janë përcjellë me kujdes lëvizjet e temperaturave të ajrit,dhe pas përkeqësimit të motit, ngrohtorja “Termokos”, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për fillimin e parakohshëm të furnizimit me ngrohje.

Fillimin e furnizimit me ngrohje e ka nisur kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka uruar për një sezon të mbarë ngrohës.

Ai ka falenderuar menaxhmentin e “Termokos”-it dhe gjithë punëtorët për angazhimin dhe kontributin, që kanë dhënë për funksionimin e ndërmarrjes.

“Unë gjithmonë e kam përmendur “Termokos”-in si një storie suksesi”, ka thënë Ahmeti, bëhet e ditur në njoftimin për media.

Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv i “Termokos”-it, Arsim Fetahu, ka falenderuar Ahmetin për mbështetjen e vazhdueshme, që ka ofruar për ndërmarrjen dhe bashkëpunimin e shkëlqyer përgjatë këtyre viteve.

Pas nënshkrimit të aneks kontratës për furnizim me energji me KEK-un, NP “Termokos” ka filluar sot të marrë sasitë e para të energjisë.

Në njoftim theksohet se gradualisht energjia termike do të nisë të shpërndahet në rrjetin e ngrohjes, ndërsa efekti i saj te konsumatorët pritet të vërehet nesër në orët e mëngjesit.

“Bazuar në Rregulloren për kushtet e përgjithshme të furnizimit me energji të ZRRE-së, përkatësisht nenit 6 të saj, pikës 2 dhe 3, në raste si këto kur temperaturat e ajrit janë më të ulëta se 12 gradë Celzius, atëherë mund të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje.

Sado që, ky është një furnizim i jashtëzakonshëm me ngrohje, dhe si rrjedhojë edhe fillim i parakohshëm i sezonit ngrohës 2021/2022, shpresojmë për një sezonë të mbarë dhe të suksesshëm ngrohës”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se sezoni i ngrohjes nga “Termokos”-i nis zakonisht më 15 tetor, dhe përfundon më 15 prill./Fokusi.info/