Thaçi flet për ardhjen e Lajçak dhe deklaratën e Hotit si kryenegociator në dialog me Serbinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se do të takohet në cilësinë e postit të tij nëse Lajçak vjen në Kosovë.

“Ende zyrtarisht s’jam i informuar për ardhjen e tij, po nëse e konfirmon dhe e sheh si proioritet në agjendën e tij, ne do t’i përgjigjemi si Zyrë e Presidentit. Për neve është me rëndësi që përfaqësuesit që merren me këtë çështje ta trajtojnë Kosovën si vend i pavarur dhe sovran, çdo qasje tjetër është e dëshpëruar”, tha presidenti gjatë homazheve që bëri tek shtatorja e Zahir Pajazitit, transmeton Indeksonline.

Ai tha se kanë besim të plotë në qasjen e Shba-ve dhe se duhet të ndodhë njohja reciproke me Serbinë.

“Prandaj besoj që lidershipi i presidentit Trump dhe dinamika e energjia e ambasadorit Grenell do të jenë efektive të shënojnë rezultate konkrete.

S’është koha tani më për matje të pulseve apo trajtimeve seminarike të çështjeve të Kosovës, njohjes reciproke Kosovë – Serbi, por është për vendimmarrje historike”, tha presidenti.

I njëjti gjithashtu komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Hoti për përfaqësimin e Kosovës në dialog me shtetin serb, duke thënë se s’janë në luftë, por të jenë të bashkuar në këtë sfidë.

“Do ta udhëheq përfaqësuesi legjitim, ne s’jemi në garë me njëri-tjetrin, të bashkuar do të përballemi me vështirësi, do të ketë energji pozitive dhe përkushtim të përbashkët dhe rezultate të përbashkëta.

S’jemi në garë, presidenti përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtarë, ndërsa është e përcaktuar dhe me Kushtetutë.

Në këtë drejtim s’ka asnjë dilemë që do ta plotësojmë njëri-tjetrin në të mirën e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Dhe besoj që Hoti në heqjen e barrierave që ka marrë si shkas i Beogradit, tash Prishtina s’është pengesë”.