Thaçi mirëpret hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se e mirëpret hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, veprim që mundësohet pas nënshkrimit të Letrës së Qëllimit mes kompanisë ajrore “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Thaçi përmes një postimi në Facebook, thotë se kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“E mirëpres nënshkrimin e Letrës së Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane “Lufthansa” dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd”.

“Sigurisht që kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

“Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për Ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, shkruan Thaçi.