Thaçi mirëpret rezolutën e Senatit të SHBA-ve për zbardhjen e rastit të vëllezërve Bytyqi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mirëpritur miratimin e rezolutës nga Senati i SHBA-ve, i cili shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve.

Përmes një postimi në Facebook, presidenti ka thënë se për Kosovën është inkurajim të vazhdohet të kërkohet drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Ai ka shpresuar se drejtësia për vëllezërit Bytyqi do të vihet në vend.

Postimi i plotë i Presidentit:

“E mirëpres miratimin e rezolutës “Bytyqi” nga Senati i SHBA-së, që shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyqi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999. Kjo mundëson që të shtyhet përpara çështja në instancat më të larta të SHBA-së, por gjithashtu tregon se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një, pa dallime partiake. Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë dhe se drejtësia për vëllezërit Bytyqi më në fund do të vihet në vend.”