Thaçi: Për fat të keq heshtja ndërkombëtare ka krijuar një lloj amnistie për gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.

Thaçi është parë i shoqëruar edhe nga ish-Komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, dhe në deklaratën e tij, tha se dhimbja dhe pikëllimi për të rënët është e madhe, por ajo rezistencë i jep dinjitet lirisë, njofton Klan Kosova.

”Sot jemi në përkujtim të përvjetorit të rënies heroike, të bashkëluftëtarit dhe Komandantit Ilaz Kodra, një prej themeluesve të UÇK-së të rënë heroikisht para 21 vjetësh në përballje me ushtrinë dhe policinë serbe duke mbrojtur popullatën civile”.

”Në të njëjtën kohë sot kujtojmë me respektin më të lartë edhe rreth 300 civilë shqiptarë, gra, fëmijë pleq, të vrarë nga ushtria dhe policia serbe të vrarë këtu në fshatin Verbofc këtu në Drenicë”.

”Dhimbja është e madhe, pikëllimi është i madh por ajo rezistencë i jep kuptim dhe dinjitet, lirisë, shtetit tonë, i jep energji së ardhmes tonë”.

Presidenti Thaçi tha po ashtu se nuk ka faktor e as rrethanë që amniston gjenocidin e Serbisë të kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë, ndonë u shpreh se heshtja ndërkombëtare ka krijuar një lloj amnistie, njofton Klan Kosova.

”Kjo masakër e kryer në Vërbofc ndaj 300 shqiptarëve civilë, është në radhën e 400 masakrave që ka kryer ushtria dhe policia serbe kundër shqiptarëve dhe mbi 10 mijë civilëve tjerë të vrarë, e 20 mijë grave të dhunuara shqiptare, 1300 fëmijëve të vrarë gjithashtu e 1 milion e qytetarëve të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre”.

”Kjo nuk ka tjetër kuptim përpos asaj që është bërë e qartë në nivel lokal dhe botëror se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, ka kryer spastrim etnik”.

”Për fat të keq heshtja ndërkombëtare ka krijuar një lloj amnistie për gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë, por nuk ka kohë faktor dhe rrethanë që e amniston gjenocidin dhe krimet e vrasjet e Serbisë në Kosovë”.