Thaçi përkujton Ukshin Hotin: Për të arritur paqe të qëndrueshme duhet të mbyllen të gjitha plagët e hapura nga lufta

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, në 21 vjetorin e zhdukjes, ka përkujtuar veprimtarin e shquar kombëtar Ukshin Hotin.

Thaçi ka thënë se moszbardhja e fatit jetësor të profesor Hotit është edhe dëshmi e natyrës kriminale të shtetit serb.

Po ashtu Thaçi ka thënë se Rasti i profesor Hotit dhe i të pagjeturve tjerë janë dëshmi se për të arritur paqe të qëndrueshme duhet të mbyllen të gjitha plagët e hapura nga lufta, të ketë drejtësi për viktimat dhe dënime për përgjegjësit.

Ky është postimi i plotë i Thaçit në profilin e tij në Facebook:

Që 21 vjet ende nuk dihet për fatin e profesorit, intelektualit dhe veprimtarit të shquar kombëtar Ukshin Hoti, i cili e kaloi një pjesë të jetës nëpër burgjet jugosllave dhe serbe.

Profesori Hoti që në vitin 1981 përkrahu idenë dhe kërkesën për Republikën e Kosovës, duke u bazuar në të drejtën historike dhe në konceptin e zhvillimit të Kosovës si entitet politik, që nuk mund të mbetej nën administrimin e Beogradit.

Moszbardhja e fatit jetësor të profesor Hotit është edhe dëshmi e natyrës kriminale të shtetit serb, që në mënyrë sistematike ushtroi dhunë, burgosje, vrasje, djegie, masakrime dhe gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës, veçanërisht në vitet 1998 dhe 1999.

Rasti i profesor Hotit dhe i të pagjeturve tjerë janë dëshmi se për të arritur paqe të qëndrueshme duhet të mbyllen të gjitha plagët e hapura nga lufta, të ketë drejtësi për viktimat dhe dënime për përgjegjësit. HTH