Thaçi: Takimi me Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë lehtëson arritjen e marrëveshjes përfundimtare

Presidenti Hashim Thaçi, ka dalë në konferencë për media duke thënë se Kuvendi i Kosovës nuk ia ka mundësuar që të raportojë siç ka kërkuar për vizitën e fundit zyrtare në SHBA dhe takimet e zhvilluara atje.

Duke folur për kronologjinë e takimeve, Thaçi ka theksuar se është pritur në Shtëpinë e Bardhë me ftesë të ngarkuarit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell i cili ka mundësuar takimin e mëpastajmë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, njofton Klan Kosova.

“Me ftesë të Richard Grenell, dhe në prezencë të Robert O’Brien jam takuar me Aleksandër Vuçiq. Ky takim është i rëndësishëm për disa arsye; shënon rikthimin e fuqishëm të SHBA-së në procesin e kërkimit apo mundësisë së arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”, ka thënë Thaçi, njofton Klan Kosova.

“Në Kosovë këtu pa dallim, institucionet, partitë, shoqëria civile, mediat të gjithë qytetarët kanë kërkuar prezencën amerikane në këtë proces dhe Uashingtoni të merr rol udhëheqës. Takimi shënon gatishmëri për të vazhduar procesi i dialogut pas një stagnimi pas një viti e më tepër. Takimi është i rëndësishëm sepse e lehtëson arritjen e marrëveshjes përfundimtare”.

Thaçi ka thënë se pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me Vuçiq janë rritur gjasat që diçka e tillë të arrihet.

“Si Kosovë kemi arrit lirinë me sakrificë. Ka mbetur të bëhet hapi i fundit për përmbylljen e plotë ndërkombëtare të shtetësisë sonë – anëtarësimin në Kombet e Bashkuara do të thotë anëtarësim në të gjitha organizata ndërkombëtare”.