Thaçi: Të zgjedhurit e popullit, duhet ta respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i kërkon Kuvendit të Kosovës që ta respektoj vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur me referendumin e vitit 1992, dhe me luftën e armatosur të UÇPMB-së.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi thot se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, janë legjitime dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Kosova, të zgjedhurit e popullit tonë, duhet ta respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur me referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sipas vullnetit të tyre të lirë për vetëpërcaktim, janë legjitime dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Jetësimi i këtyre kërkesave e ndihmon stabilitetin afatgjatë dhe kontribuon në vendosjen e paqes në rajonin tonë, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si president i vendit i kam mbështetur vazhdimisht kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por sot i kam dërguar Kuvendit edhe një draft-rezolutë, ku përtej dallimeve politike apo çfarëdo qofshin ato, kam kërkuar që këto kërkesa të mbështeten dhe të miratohen edhe prej të zgjedhurve të popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. HTH