Thaçi thotë se persona të caktuar janë të interesuar ta pengojnë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se dikush është i interesuar të pengojë arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e cila sipas tij do të sjellë njohjen reciproke.

Ky qëndrim i presidentit Thaçi në llogarinë e vet në “Twitter” ka ardhur pak kohë orë pasi lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dalë kundër formës aktuale të dialogut Kosovë-Serbi ku Presidenti është udhëheqës i këtij procesi.

Madje, Haradinaj ka propozuar konferencë dyditore në Prishtinë në mes të liderëve institucionalë dhe politikë në Kosovë para se të arrihet marrëveshja finale me Serbinë.

“Ka shumë interesim të personave të caktuar që ta pengojnë procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare të paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, më lejoni ta them përsëri, qartë dhe në mënyrë të zëshme: Po flasim për përfundimin e një konflikti shekullor, duke u përqendruar në zhvillim ekonomik, jetë më të mirë për qytetarët tanë dhe njohje reciproke. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak”

“Përsëri, roli i Shteteve të Bashkuara është i domosdoshëm. I dërguari special, Richard Grenell, është duke e bërë një punë të shkëlqyeshme dhe e ka përkrahjen e plotë nga Matt Palmer. Faleminderit, Donald Trump, që po punoni për paqe në botë”, ka shtuar Thaçi në “Twitter”.

Kundër Ramush Haradinajt ka dalë edhe zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, i cili ka thënë se Kosova ka institucionet e veta legjitime.